Secondary Adv

Ministri Malaj: Akti normativ i buxhetit 2025, rishpërndan 300 mln euro fonde të papërdorura

Akti normativ i buxhetit 2025 zhvendos fonde të papërdorura për mbështetje sociale, bujqësi dhe shëndetësi.

Ndryshimet kryesore të buxhetit 2025

Ministri i Financave Petrit Malaj gjatë seancës parlamentare prezantoi ndryshimet kryesore përmes aktit normativ të buxhetit 2025, duke theksuar se mbështetja buxhetore për familjet me Ndihmë Ekonomike dhe Personat me Aftësi të Kufizuar arriti në 25.6 miliardë lekë, përfshirë fondin për bonusin e fundvitit, ndërsa për kategorinë e pensionistëve fondi për indeksim dhe bonus u llogarit në 11.8 miliardë lekë.

 

Rishpërndarja e fondeve dhe ruajtja e deficitit

Malaj nënvizoi se në një kuadër ekonomik që kërkon kujdes dhe balancë, qeveria ka zgjedhur të mbështesë shtresat më në nevojë, duke transferuar të gjitha fondet e papërdorura gjatë vitit 2025 nga ministritë dhe institucionet buxhetore në llogarinë e mbështetjes së pensionistëve në Bankën e Shqipërisë, që do të përdoret me Vendim të Këshillit të Ministrave, si dhe duke rialokuar kursimet e evidentuara gjatë periudhës janar–nëntor drejt programeve me performancë më të lartë. Sipas tij synohet rishpërndarja e rreth 30 miliardë lekë kursimeve, duke ruajtur deficitin buxhetor të pandryshuar në nivelin e planifikuar 61.64 miliardë lekë.

 

Mbështetje financiare për pensionistët dhe shtresat në nevojë

Ndër alokimet kryesore për shpenzimet koherente, ministri veçoi transferimin e 150 milionë euro në llogarinë e pensionistëve në Bankën e Shqipërisë, si dhe mbështetjen financiare në masën 15,000 lekë ose 150 euro për rreth 148,500 përfitues nga familjet me Ndihmë Ekonomike dhe Personat me Aftësi të Kufizuar, përfshirë kujdestarët e tyre, me një efekt financiar prej 2.23 miliardë lekë. Sipas të dhënave zyrtare, realizimi i bonusit për familjet me Ndihmë Ekonomike është 98.4 për qind, ndërsa për personat PAK 99.5 për qind, me pagesa ende në procesim.

 

Fonde shtesë për bujqësinë dhe fermerët

Akti normativ parashikon gjithashtu financim shtesë prej rreth 2 miliardë lekësh për fermerët, me synimin për të mbuluar të gjitha kërkesat e aplikantëve që plotësojnë kriteret e Skemës së Bujqësisë për vitin 2025. Në total fondi i alokuar për këtë vit arrin në 6.4 miliardë lekë, nga 5.3 miliardë lekë që ishte në vitin 2024, ndërsa realizimi i fondeve mbështetëse është 90 për qind dhe për kompensimin e naftës 93 për qind, me pritshmëri për ekzekutim të plotë.

 

Shëndetësia, rendi dhe turizmi mes përfituesve

Për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u alokua një fond shtesë prej 1.76 miliardë lekësh për furnizimin me medikamente në QSUT dhe spitale të tjera në vend. Ndërkohë për Ministrinë e Brendshme u parashikuan 1.3 miliardë lekë për shpenzimet e Policisë së Shtetit, përfshirë kompensimin ushqimor, orët jashtë orarit dhe dietat gjatë sezonit turistik, si dhe shlyerjen e detyrimeve gjyqësore të IKMT-së, ku realizimi për pagesat e orëve jashtë orarit është 99.9 për qind dhe për dietat 99.7 për qind. Për Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit u shtua një fond prej 847 milionë lekësh për organizimin e aktiviteteve sportive kombëtare dhe ndërkombëtare.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat